Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Ankara viziton Odën Ekonomike dhe Industriale të Kirklarelit
Manasievski tha se Maqedonia e Veriut është gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.
Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Ankara, Jovan Manasievski dhe delegacioni i tij vizituan Odën Ekonomike dhe Industriale të Kirklarelit (KTSO), raporton Anadolu.
Ambasadori Manasievski, konsulli i nderit i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Eser Cevahir dhe delegacioni shoqërues, gjatë vizitës u takuan me kryetarin e KTSO-së, Soner Ilik, kryetarin e kuvendit të odës, Ismail Haki Ozsan dhe anëtarët e Odës.
Ilik në fjalimin e tij shprehu kënaqësinë për vizitën. Ai theksoi se vizita është e rëndësishme për të dy vendet dhe për tregtinë, duke shtuar se do të realizojnë aktivitete në bashkëpunim.
Nga ana tjetër, Manasievski deklaroi se Maqedonia e Veriut është gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.
Në takim më pas u shqyrtuan aktivitetet tregtare ndërmjet dy vendeve si dhe përparësitë për investime dhe tregti.