Begaj: Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë konstruktive për stabilitetin rajonal
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ishte i ftuar si folës nderi në seancën plenare Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Am

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë konstruktive për stabilitetin rajonal, transmeton Anadolu.
Begaj ishte i ftuar si folës nderi në seancën plenare Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Begaj vlerësoi rolin e Aleancës Veri-Atlantike për sigurinë dhe stabilitetin në botën demokratike, rëndësinë e besimit, bashkëpunimit dhe vigjilencës mes anëtarëve të NATO-s për ruajtjen e paqes, si edhe sipas tij nevojën thelbësore të pranisë së SHBA-së dhe BE-së në rajonin e Ballkanit.
"Ne kemi rritur buxhetin tonë të mbrojtjes, po rigjallërojmë industrinë tonë të mbrojtjes dhe po investojmë në infrastrukturën ushtarake dhe korridoret strategjike të transportit për të rritur lëvizshmërinë ushtarake. Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë të gjitha detyrimet dhe të kontribuojë në mënyrë konstruktive në përpjekjet kolektive të Aleancës në investimet në mbrojtje, mbështetjen për Ukrainën, përshtatjen strategjike dhe stabilitetin rajonal", ka theksuar Begaj.
Gjithashtu Begaj është shprehur se Shqipëria mbetet thellësisht e përkushtuar për të promovuar integrimin euroatlantik në rajon.
"Në 30-vjetorin e marrëveshjes së Dayton-it, Presidenti Begaj çmoi firmosjen e këtij dokumenti jo vetëm për Bosnjë dhe Hercegovinën, por edhe për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin, teksa bëri thirrje për dialog, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim rajonal", thuhet në njoftim.
Begaj ka theksuar ndër të tjera se mbeten të përkushtuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe ndaj ndarjes së përgjegjësive më të mëdha për sigurinë evropiane.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Begaj është takuar me zyrtarë të ndryshëm dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar.