Institucionet e Kosovës reagojnë pas ndalimit të ish-deputetit kosovar në Serbi
Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë ka reaguar pasi ish-deputeti i Kuvendit të kosovës, Gramos Agusholli, është ndaluar nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, derisa ishte në tranzit drejt Sllovenisë, transmeton Anadolu.
Sipas MPJD-së, lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian (BE) në Beograd.
Edhe MPJD-ja ka bërë të ditur se ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin.
“MPJD-ja dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z.Gramos Agushollit dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Tutje, MPJD-ja tha se do t’i mbajë të informuar për këtë rast të gjithë partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm.