Presidenti Erdogan: Turqia intensifikon përgatitjet për Samitin e NATO-s në Ankara
"Ne kemi intensifikuar përgatitjet tona për të siguruar që Samiti i Ankarasë të bëhet një pikë referimi në historinë e NATO-s", tha presidenti Erdogan
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se Turqia ka intensifikuar përgatitjet për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Ankara dhe paralajmëroi kundër veprimeve që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, raporton Anadolu.
"Ne kemi intensifikuar përgatitjet tona për të siguruar që Samiti i Ankarasë të bëhet një pikë referimi në historinë e NATO-s", tha Erdogan ndërsa iu drejtua takimit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në kryeqytetin turk.
Erdogan tha se njoftimi se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të marrë pjesë personalisht në Samitin e NATO-s, i planifikuar për 7-8 korrik, është "një hap i vlefshëm në aspektin e kohezionit të aleancës".
"Siguria e Turqisë nuk fillon në Hatay, por në Halep, Damask dhe Bejrut, pasi ne nuk do të tolerojmë fakte të kryera në vendet e vëllezërve tanë dhe nuk do të mbyllim sytë ndaj agresionit", tha ai duke shtuar se siguria e vendit shtrihet përtej kufijve të saj.
Erdogan iu referua gjithashtu asaj që e përshkroi si "iluzioni i Tokës së Premtuar", duke thënë se Turqia është plotësisht e vetëdijshme për objektivin e saj përfundimtar. "Me vullnetin e Zotit, ne kurrë nuk do ta lejojmë këtë", tha ai.
"Askush nuk duhet të kërkojë aventura. Askush nuk duhet të ndjekë gjurmët e rrjetit të masakrave sioniste", tha ai.
Presidenti turk paralajmëroi për pasoja më të gjera nëse veprimet e Izraelit nuk frenohen. "Nëse banditizmi i Izraelit nuk ndalet, e gjithë bota, së bashku me rajonin, do të vuajë pasojat", deklaroi ai.
"Izraeli duhet të ndalet. Kjo është detyra e njerëzimit. Përsëritja e historisë nuk duhet të lejohet", theksoi Erdogan.
Erdogan gjithashtu paralajmëroi kundër çdo sfide ndaj interesave të Turqisë në Mesdheun Lindor duke thënë: "Nëse të drejtat e Turqisë dhe të drejtat e qipriotëve turq në Mesdheun Lindor janë në shënjestër, përgjigjja jonë do të jetë shumë e qartë dhe e prerë".