Presidentja Osmani kundër masës së Kushtetueses për bllokimin e funksionimit të Kuvendit të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se puna e Kuvendit nuk duhet të bllokohet për shkak të mungesës së një nënkryetari nga radhët e komuniteti serb, sepse prej këtij institucioni varet funksionimi i shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se ashtu sikurse kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese nga institucionet në vend, Presidenca ka dorëzuar komentet lidhur me masën e ndërmarrë nga kjo gjykatë për pezullimin e punës së deputetëve deri më 30 shtator, raporton Anadolu.
Osmani në një konferencë për media të martën, tha se i është përgjigjur gjykatës lidhur me çështjet e ngritura nga partia Lista Serbe dhe ka argumentuar se funksionimi i institucioneve të Kosovës, në veçanti i Kuvendit, është qenësor për ruajtjen e rendit kushtetues, por edhe shtetit sovran dhe funksional.
Osmani tha se puna e Kuvendit nuk duhet të bllokohet për shkak të mungesës së një nënkryetari nga radhët e komuniteti serb, sepse sipasaj saj prej këtij institucioni varet funksionimi i shtetit.
“Ushtrimi i kësaj të drejte nëpërmjet të cilës po pretendohet të bllokohet Kuvendi i Kosovës dhe konstituimi i tij, cenon të drejtat e gjithë deputetëve të tjerë duke ua mohuar atyre ushtrimin e funksionit të tyre në një Kuvend të konstituuar dhe po ashtu cenon të drejtat e gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie. Për arsye se, qytetarët që nuk kanë Kuvend nuk mund ta ushtrojnë sovranitetin, bartës i të cilit është Kuvendi, nuk mund të miratohen në atë Kuvend marrëveshje që janë në dobi të tyre”, theksoi Osmani.
Sipas Osmanit, kur Kryesia e Kuvendit ka kuorum të mjaftueshëm dhe ka kryetar, dhe kur deputetët kanë kryer betimin dhe bllokohet funksionimi, në ato momente pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues.
“Qëndrimi ynë është që, përderisa Kryesia e Kuvendit ka kuorum, përderisa Kuvendi ka zgjedhur kryetar në përputhje të plotë me Kushtetutën, Kuvendi si institucion nuk duhet të bllokohet. Sepse, një bllokim i tillë si instrument edhe në të ardhmen, do të krijonte precedent të rrezikshëm për paralizimin total shtetëror”, theksoi Osmani.
Osmani tha se nuk është hera e parë që Lista Serbe largohet nga Kuvendi. Ajo theksoi se nga viti 2022 Lista Serbe u largua nga Kuvendi, Policia dhe institucione tjera, por kjo nuk e ka bllokuar funksionimin as të Kuvendit as Policisë dhe institucioneve tjera.
Osmani nga Gjykata Kushtetuese kërkoi pavarësi, integritet dhe mbrojtje të Kosovës nga rrezikimi i rendit kushtetues.
Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës, pikë e cila bllokoi procesin e konstituimit.
Gjykata theksoi se pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit". Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.
Ankesa e Listës Serbe e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, erdhi pasi në Kuvend u hodhën ndaras propozimet për nënkryetarë nga radhët e komuniteteve joshumicë joserb dhe serb.
Deputetët i dhanë mbështetje me votat e mjaftueshme nënkryetares joserbe Emilja Rexhepi, por, më pas as propozimi i Listës Serbe dhe as deputeti serb që nuk është pjesë e kësaj partie, Nenad Rashiq, nuk morën votat e mjaftueshme që të emëroheshin në pozitën e nënkryetarit.