Presidentja Osmani ndau medalje presidenciale për nënat e Srebrenicës
Osmani tha se Srebrenica është tragjedi që shokoi ndërgjegjen globale, por ende nuk mori drejtësinë e merituar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë medalje presidenciale për nënat e Srebrenicës, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, raporton Anadolu.
Presidentja Osmani gjatë fjalës së saj para ndarjes së medaljes presidenciale, tha se në Srebrenicë u masakruan më shumë se 8 mijë burra e djem nga forcat gjenocidale të Millosheviqit në shumë pak ditë, në sytë e gjithë botës.
Ajo tha se Srebrenica është tragjedi që shokoi ndërgjegjen globale, por ende nuk mori drejtësinë e merituar.
Osmani tha se nënat nuk kanë një varr ku do të vajtojnë të dashurit e tyre, mirëpo sipas saj, përkundër kësaj dhimbjeje të pafund, nënat e Srebrenicës njësoj si shumë nëna të Kosovës kanë vendosur të ngrenë zërin dhe të luftojnë për drejtësi.
"Ju jeni bërë zëri i atyre që nuk mund të flasin. Jeni bërë ndërgjegjja që po i mungonte botës. Dhe ju treguat se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme. Me çdo fotografi që e keni mbajtur në duart tuaja, me çdo emër që keni përmendur me dënesë dhe çdo hap që keni bërë drejt institucioneve ndërkombëtare, ju keni ruajtur kujtimin e gjallë", theksoi Osmani.
Presidentja Osmani tha se gjatë mandatit të saj si presidente ka nderuar shpeshherë nënat e Kosovës që kanë shndërruar dhimbjen e tyre në forcë dhe asnjëherë nuk heshtën për të kërkuar drejtësi për fëmijët që humbën gjatë luftës, ndërsa sot "në emër të gjithë qytetarëve, në bazë të kompetencave kushtetuese që kam, nënave të Srebrenicës të ua dhuroj Medaljen Presidenciale për Shërbim".
Përfaqësuesja e nënave të Srebrenicës, Hada Hodzic, ka thënë se kanë paraqitur të vërtetën para botës. Ajo tha se nënat e Srebrenicës kanë luftuar për rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) që është shumë me rëndësi që gjenocidi të mbahet në mend.
"Nëse kam mbetur pa birin tim... nuk kam mbetur pa krenari. I kemi hapur sytë e gjithë botës ndaj dinjitetit tonë njerëzor", ka thënë Hodzic para të pranishmëve.
Bashkë me nënat e Srebrenicës, i pranishëm gjatë marrjes së medaljes presidenciale ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq.