Presidenti turk vlerëson solidaritetin mes Turqisë dhe Palestinës pas ndeshjes miqësore të futbollit
Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se ndeshja miqësore në Konya nxori në pah vëllazërinë dhe solidaritetin mes Turqisë dhe Palestinës.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vlerësoi të mërkurën solidaritetin mes Turqisë dhe Palestinës pas një ndeshjeje miqësore futbolli në provincën qendrore turke të Konyas, transmeton Anadolu.
“Sonte në Konya, ndeshja miqësore mes Konyasporit dhe Kombëtares së Palestinës ishte një shembull i jashtëzakonshëm i vëllazërisë, solidaritetit dhe unitetit të zemrave mes vendeve tona”, tha Erdogan në platformën sociale amerikane X.
Ai u përcolli “përshëndetjet dhe përzemërsinë më të sinqertë” lojtarëve palestinezë, të cilët udhëtuan drejt Turqisë për ndeshjen, si dhe popullit palestinez.
Erdogan falënderoi gjithashtu banorët e Konyas, të cilët mbushën stadiumin me kapacitet prej 42.000 vendesh, mirëpritën Kombëtaren e Palestinës dhe shprehën mbështetjen e tyre për çështjen palestineze.
Ai tha se ndeshja i kujtoi edhe një herë botës “tragjedinë dhe gjenocidin” në Palestinë dhe Gaza.
“Si Turqi, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar dhe në solidaritet me vëllezërit dhe motrat tona palestineze dhe nga Gaza, të mbrojmë të drejtat e tyre në arenën ndërkombëtare dhe të shfaqim solidaritetin tonë me ta në mënyrën më të fuqishme të mundshme”, shtoi presidenti turk.
- Ndeshja miqësore Palestinë-Konyaspor
Konyaspori dhe Kombëtarja e Palestinës u përballën të mërkurën në një ndeshje miqësore në qytetin turk të Konyas, në kuadër të aktiviteteve të “Ditës së Palestinës”.
Gjatë aktiviteteve, të zhvilluara për të tërhequr vëmendjen ndaj fëmijëve që kanë humbur jetën në Palestinë, u shënuan momente emocionuese.
Konyaspori kaloi në avantazh në minutën e dytë përmes Melih Ibrahimoglut, por Kombëtarja e Palestinës përmbysi rezultatin dhe kaloi në epërsi 2-1 me dy golat e Mohammed Sandouqa në minutat 12 dhe 25. Mostafa Mohamed i Konyasporit barazoi në minutën e 28-të, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-2.
Pavarësisht sulmeve nga të dyja skuadrat në pjesën e dytë, nuk pati gola të tjerë dhe ndeshja përfundoi 2-2.

