Nënkryetari i AK Partisë, Zorlu zhvillon vizitë në Maqedoninë e Veriut
"Nën udhëheqjen e presidentit tonë, zemra e 86 milionë qytetarëve tanë është gjithmonë këtu, së bashku me ju. Mos e harroni kurrë këtë", tha ai në një takim me banorët e fshatit Koliça i Poshtëm
Nënkryetari i AK Partisë dhe kryetari për Marrëdhëniet me Shtetet Turke, prof. dr. Kursad Zorlu, duke theksuar se emocionohen sa herë që dëgjojnë një lajm nga Maqedonia e Veriut, tha: "Nën udhëheqjen e presidentit tonë, zemra e 86 milionë qytetarëve tanë është gjithmonë këtu, së bashku me ju. Mos e harroni kurrë këtë", raporton Anadolu.
Zorlu nisi vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut me një takim në Ambasadën e Turqisë në Shkup. Pas takimit me ambasadorin Fatih Ulusoy, Zorlu u takua edhe me rektorët e universiteteve në Maqedoninë e Veriut.
Ai gjithashtu u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Turke (TDP) në vend, Zulfikar Zeynula.

- Valë dashurie për presidentin Erdogan në Ballkan
Në kuadër të takimeve të tij në Maqedoninë e Veriut, Zorlu vizitoi edhe fshatin Koliçan i Poshtëm, që ndodhet në afërsi të kryeqytetit Shkup, ku u takua me bashkatdhetarët.
Në fjalimin e tij këtu, Zorlu tha se përjetoi momente emocionuese për shkak të pritjes së ngrohtë nga banorët.
Ai tha se solli përshëndetjet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. "Shpresojmë që në periudhën e ardhshme marrëdhëniet midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të forcohen edhe më shumë ndërsa bashkëpunimi ynë do të bëhet edhe më i qëndrueshëm", u shpreh Zorlu.

Sipas tij, elementi më i rëndësishëm që lidh Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut është dashuria e qytetarëve dhe ndjenja e përkatësisë ndaj të dy vendeve.
"Dua që të jeni të sigurt për një gjë: sa shumë e doni ju Turqinë këtu, sa emocionoheni kur ndiqni një kanal nga Turqia apo kur dëgjoni një fjalë turke, po aq emocionohemi, prekemi dhe shpresojmë edhe ne kur dëgjojmë diçka nga Evlad-i Fatihan, nga Maqedonia, nga fshati Koliçan. Shpresojmë që vëllazërinë tonë ta ndërtojmë së bashku me këto ndjenja, ta forcojmë dhe që e ardhmja e këtyre fëmijëve tanë të bartë përpara edhe unitetin tonë. Nën udhëheqjen e presidentit tonë, zemra e 86 milionë qytetarëve tanë është gjithmonë këtu, së bashku me ju. Mos e harroni kurrë këtë", tha ai.

Gjatë fjalimit të Zorlut, tërhoqi vëmendjen interesimi i madh dhe brohoritjet e qytetarëve në mbështetje të Turqisë dhe presidentit Erdogan.
Gjatë takimeve Zorlun e shoqëruan kryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Turqi-Maqedoni e Veriut dhe deputeti i AK Partisë nga Bursa, Ahmet Kiliç, anëtarët e Këshillit Qendror të Vendimmarrjes dhe Menaxhimit (MKYK) të AK Partisë, Ahmet Bilal Kiymaz dhe Mehmet Ali Kurt si dhe nënkryetari për Marrëdhëniet me Shtetet Turke në AK Parti, Temel Akyurek.


