Ndërron jetë Biljana Plavshiq, e dënuar për krime lufte në Bosnjë e Hercegovinë
Plavshiq ishte një figurë e rëndësishme politike e serbëve të Bosnjës dhe mbajti poste të larta para, gjatë dhe pas konfliktit të viteve 1992-1995
Biljana Plavshiq, ish-presidente e Republikës Srpska, e dënuar për krime lufte në Bosnjë e Hercegovinë, ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare në Beograd, raporton Anadolu.
Sipas Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Plavshiq ishte një figurë e rëndësishme politike e serbëve të Bosnjës dhe mbajti poste të larta para, gjatë dhe pas konfliktit të viteve 1992-1995.
“Përmes pjesëmarrjes së saj në përndjekjen e muslimanëve boshnjakë, kroatëve boshnjakë dhe popullsisë tjetër joserbe në 37 komuna, ajo mbështeti fushatën e ndarjes etnike, e cila rezultoi në vdekjen e mijëra civilëve dhe dëbimin e mijëra e mijëra njerëzve nga komunat në Bosnjë e Hercegovinë, në kushte jashtëzakonisht brutale. Ajo u bëri thirrje forcave paraushtarake nga Serbia që t’u ndihmonin forcave serbe të Bosnjës në realizimin e qëllimit të ndarjes së grupeve etnike përmes përdorimit të forcës. Ajo u dënua me 11 vjet burg”, thuhet në faqen e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Gjatë karrierës së saj akademike në Sarajevë, ajo ishte profesoreshë e biologjisë, drejtuese e Departamentit të Biologjisë dhe dekane e Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikore të Universitetit të Sarajevës.
Nga viti 1990 deri në vitin 1992, ajo ishte anëtare e Presidencës së Republikës Socialiste të Bosnjë e Hercegovinës. Pas fillimit të luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe shpalljes së Republikës Srpska, ajo u bë zv/presidente e saj, detyrë që e mbajti nga viti 1992 deri në vitin 1996. Më pas, ajo u bë presidentja e dytë e Republikës Srpska, duke ushtruar këtë detyrë nga 19 korriku 1996 deri më 4 korrik 1998.
Prokuroria e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për krimet e luftës në Hagë e akuzoi atë për krime lufte, gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të rënda të zakoneve dhe rregullave të luftës. Pas gjykimit, ajo u dënua përfundimisht me 11 vjet burg. Si rezultat i marrëveshjes me prokurorinë, ajo u lirua nga akuza për gjenocid.
Pas vuajtjes së pjesës më të madhe të dënimit në një burg në Suedi, ajo u lirua më 27 tetor 2009.

