Ministri Hoxha: Siguria e Ballkanit Perëndimor dhe siguria e Evropës janë të pandashme
Hoxha ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi, ndërkohë ai ka theksuar se në këtë takim ka rikonfirmuar "angazhimin e palëkundur" të Shqipërisë për një Ballkan Perëndimor më të sigurt
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se siguria e Ballkanit Perëndimor dhe siguria e Evropës janë të pandashme, transmeton Anadolu.
Hoxha ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Budva të Malit të Zi, ndërkohë në rrjetet sociale ai ka theksuar se në këtë takim ka rikonfirmuar "angazhimin e palëkundur" të Shqipërisë për një Ballkan Perëndimor më të sigurt, më konkurrues dhe më të ndërlidhur.
"Siguria e Ballkanit Perëndimor dhe siguria e Evropës janë të pandashme. Në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik, përgjigjja ndaj sfidave tona të përbashkëta qëndron te bashkëpunimi më i fortë, uniteti më i madh dhe një Evropë më e qëndrueshme dhe më e aftë për t’u përballur me sfidat. Dhe për ne, kjo ka një emër: zgjerimi. Jo si një favor apo shpërblim, por si një proces i bazuar në merita dhe i mbështetur në reforma kuptimplota e me ndikim, duke qenë njëkohësisht një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës", tha ai.
Kryediplomati shqiptar ka shtuar se një nga mësimet më të rëndësishme të Procesit të Berlinit është se integrimi evropian fillon në shtëpi, shumë përpara anëtarësimit.
"Ai (integrimi) përparon përmes bashkëpunimit praktik, lëvizshmërisë dhe kontakteve mes njerëzve, njohjes së ndërsjellë të diplomave, ndërlidhjes dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, pra, përmes arritjeve konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve, thellojnë lidhjet rajonale dhe i afrojnë gjithnjë e më shumë shoqëritë tona me Bashkimin Evropian", ka shtuar Hoxha.
Sipas ministrit Hoxha, për Shqipërinë, pyetja nuk është më nëse Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian, por "pyetja e vërtetë sot është nëse të gjithë së bashku kemi guximin, vendosmërinë dhe vullnetin politik për ta përmbushur premtimin e Evropës dhe për të përfunduar pjesën e fundit të bashkimit të kontinentit tonë".
Ministri Hoxha ka theksuar se brezit të ardhshëm i detyrohen më shumë se një tjetër premtimi për perspektivën Evropiane, duke shtuar se i detyrohen sigurisë së një të ardhmeje evropiane, të ndërtuar sipas tij mbi paqen, prosperitetin, vlerat demokratike dhe një fat të përbashkët.