Vuçiq takon komandantin e NATO-s për Evropën: Dialogu është çelësi për stabilitetin e rajonit
Vuçiq theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të përgjegjshëm dhe profesional me Aleancën, me respekt të plotë për interesat e veta kombëtare
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë, gjeneralin Alexus Grynkewich, ka deklaruar se dialogu është rruga e vetme për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, transmeton Anadolu.
Vuçiq tha se gjatë bisedimeve e falënderoi, siç u shpreh ai, për rolin stabilizues të misionit të KFOR-it, duke shprehur pritjen se ai do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e paqes.
Bashkëbiseduesit diskutuan për situatën aktuale të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal, ndërsa presidenti serb theksoi se për vendin është me rëndësi kyçe ruajtja e neutralitetit ushtarak, krahas vazhdimit të bashkëpunimit me NATO-n përmes programit “Partneriteti për Paqe”.
Vuçiq theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të përgjegjshëm dhe profesional me Aleancën, me respekt të plotë për interesat e veta kombëtare.
Gjatë takimit u vu veçanërisht në dukje rëndësia e ruajtjes së paqes në Kosovë si dhe nevoja për mbrojtjen e popullatës serbe dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Vuçiq kujtoi se po mbushen 27 vjet nga miratimi i kësaj rezolute, të cilën e vlerësoi si kornizën kryesore ndërkombëtare për rregullimin e çështjeve të sigurisë dhe atyre civile në Kosovë.