Ministrat e Mbrojtjes të Serbisë dhe Azerbajxhanit diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak
Ministri serb Gashiq falënderoi Azerbajxhanin për qëndrimin e tij të vazhdueshëm për mosnjohjen e Kosovës ndërsa ministrat diskutuan gjithashtu për sigurinë rajonale dhe globale
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq u takua në Beograd me ministrin e Mbrojtjes të Azerbajxhanit, gjeneral-kolonelin Zakir Hasanov, me të cilin diskutoi për avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sfidat aktuale të sigurisë në rajon dhe në botë, raporton Anadolu.
Gashiq në fillim të takimit shprehu kënaqësinë për këtë takim dhe vlerësoi se bisedimet do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, por edhe të marrëdhënieve të përgjithshme midis dy vendeve.
Ai theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore mes Serbisë dhe Azerbajxhanit në nivelin më të lartë shtetëror paraqesin një nxitje të fuqishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit partner.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për situatën e sigurisë rajonale dhe globale. Gashiq vlerësoi se shkeljet afatgjata të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe ndërhyrjet në çështjet e brendshme të shteteve sovrane kanë kontribuar në shfaqjen e konflikteve të reja, luftërave hibride dhe përshkallëzimin e përshpejtuar të krizave rajonale në tensione më të gjera ndërkombëtare.
Ai shtoi se politika e mbrojtjes e Serbisë bazohet në respektimin e së drejtës ndërkombëtare, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke ruajtur neutralitetin ushtarak, duke forcuar kapacitetet e veta mbrojtëse dhe orientimin e politikës së jashtme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Gashiq falënderoi Azerbajxhanin për qëndrimin e tij të vazhdueshëm për mosnjohjen e Kosovës dhe shprehu shqetësimin për proceset në Kosovë, për të cilat tha se nuk janë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit falënderoi për mikpritjen dhe theksoi se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve miqësore me Serbinë. Hasanov shprehu bindjen se takimi do të kontribuojë në avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve partnere midis dy shteteve.
Bashkëbiseduesit konfirmuan përkushtimin për vazhdimin e zhvillimit të bashkëpunimit dypalësh dhe mbajtjen e dialogut të rregullt për çështje me interes të përbashkët.